Njoftim për medie

09.05.2013

Shënimit të 100-vjetorit të funksionimit të sistemit të drejtësisë shqiptare, që këto ditë po bëhet në Tiranë, me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, iu bashkëngjit edhe një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i prirë nga Prof. dr. Enver Hasani, kryetar.

Në seminarin e organizuar të enjten nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në bashkëpunim me fondacionin gjerman “Hanns Seidel”, me temë: “Roli i Gjykatës Kushtetuese në shtetin e së drejtës”, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, mbajti një fjalë rasti para një audience të gjerë gjyqtarësh të gjyqësisë shqiptare.

Kryetari Hasani, pasi i bëri një historik zhvillimit të gjyqësisë kushtetuese kosovare, tha se konstitucionalizmi modern në Kosovë u sanksionua dhe u vu në jetë vetëm pas shpalljes së pavarësisë së saj, më 17 shkurt 2008. Pas kësaj date, sipas kryetarit Hasani, Kosova hyri në rrugëtimin e shpejtë të ndërtimit të institucioneve bazike kushtetuese të një shteti të pavarur dhe sovran.

Në vazhdim ai tha se Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nga themelimi e deri më sot, ka zënë një vend meritor në sistemin kushtetues kosovar dhe, në asnjë rast, nuk ka hasur në moszbatim të vendimeve të saj, ani se nuk ka një garantues të zbatimit të tyre. Sipas kryetarit Hasani, Gjykata Kushtetuese e Kosovës jo vetëm që do jetë gardian i Kushtetutës, por edhe do të ndërhyjë aktivisht dhe me guxim në sigurimin e ndarjes së pushteteve dhe në mbikëqyrjen e cilësisë kushtetuese të ligjeve.