Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës njofton opinionin se në përgjigje të pyetjeve përkitazi me përmbarimin e aktgjykimit që ka të bëjë me disa ish punëtorë të Fabrikës së Çelikut IMK në Ferizaj, Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur për kompensimin material apo se çfarë shume duhet t’u ndahet punëtorëve të caktuar, të drejtat e të cilëve ishin cenuar gjatë procesit të privatizimit të punëdhënësit të tyre, një ndërmarrje kjo shoqërore.
Më 6 dhjetor 2012, u publikua Vendimi për mospërmbarimin e këtij aktgjykimi për shkak se Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit ende nuk e kishin përmbaruar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, rasti nr. KI 08/09, i 17 dhjetorit 2010.
Gjykata Kushtetuese rithekson se çështja e kompensimit monetar nuk ishte vendosur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se aktgjykimi i formës së prerë dhe i detyrueshëm i Gjykatës Komunale në Ferizaj duhet të përmbarohet nga ana e autoriteteve kompetente, konkretisht, nga Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, si pasardhëse ligjore e AKM-së. Ngjashëm, çështja e kompensimit monetar nuk ishte vendosur as me aktgjykimin e Gjykatës Komunale të Ferizajt (C. nr. 340/2001 të 11 janarit 2002), me të cilin ishte konstatuar se të gjithë punëtorët që ishin paraqitur në punë duhet të kthehen në vendet e tyre të punës apo në vende të punës që i përgjigjeshin kualifikimeve të tyre dhe shkathtësive të punës, dhe duhet të realizojnë të gjitha të drejtat nga marrëdhënia e punës.