Njoftim për medie

28.02.2010

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Gjermanisë, në datat 1-6 mars 2010,delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kryetari Prof.Dr.Enver Hasani, do të realizojnë një vizitë zyrtare me qëllim të vënies së kontakteve dhe bashkëpunimit.
Sipas agjendës së paraparë, në ditën e parë të takimeve, delegacionit nga Kosova do t’i organizohet pritje në Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë, ku do të takime me krerët e kësaj gjykate dhe diskutime lidhur me thellimin e bashkëpunimit midis dy Gjykatave Kushtetuese të të dyja vendeve. Ndër të tjera, delegacioni nga Kosova do të ketë takime dhe vizita në Gjykatat e instancave më të larta, si ajo Apelit.
Përveç vizitës në Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë, ndërkaq, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në ditën e tretë të agjendës më 3 mars do të ketë vizitë dhe takim me drejtuesit e Komisionit të Venedikut me seli në Strasburg. Sipas gjyqtares ndërkombëtare të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Dr. Snezhana Botusharova, ish-gjyqtare Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, dhe e cila është pjesë e delegacionit, ky do të jetë një rast tepër i veçantë për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që nga afër t’i përcjellin zhvillimet e fundit dhe t’i marrin përvojat më të mira nga puna e këtyre dy institucioneve me rëndësi të posaçme.