Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, Prof. dr. Hajredin Kuçi, dje i ka dërguar telegram urimi kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, me rastin e shënimit të Vitit të Tretë Gjyqësor të Gjykatës.
Përmbajtja e telegramit është kjo:
“I nderuari Kryetar Hasani,
Sot në Vitin e Tretë Gjyqësor, Gjykata Kushtetues e Republikës së Kosovës si organi më i lartë i kontrollit dhe interpretimit të Kushtetutës, duhet vlerësuar lartë për punën e saj të bërë gjatë viteve të fundit në Kosovë, për t’i kontribuar sundimit të ligjit dhe kushtetutshmërisë.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, gjatë këtyre tri viteve, me punën dhe përkushtimin e saj, ka arritur që me plotë të drejtë ta ruaj epitetin e gardianit të Kushtetutës.
Nën udhëheqjen tuaj, Gjyqtarëve profesionalë të Gjykatës suaj dhe punës suaj me plot përkushtim, Gjykata Kushtetuese ka çuar përpara shumë procese të rëndësishme në Kosovë.
Interpretimi përfundimtar i normave kushtetuese, ligjeve, akteve tjera juridike, si dhe mbrojtja dhe garantimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, kanë qenë sfidë e madhe për punën e gjykatës.
Megjithatë përkushtimi dhe profesionalizmi i treguar nga ana e Gjyqtarëve të kësaj Gjykate në interpretimin e Kushtetutës, e ka shndërruar këtë organ në njërin nga institucionet më të respektuara dhe të besueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Sot, duke rikujtuar dhe vlerësuar punën e pashembullt që ka bërë Gjykata Kushtetuese gjatë këtyre viteve, urojmë që edhe në të ardhmen kjo Gjykatë të dëshmojë përkushtimin e saj në interpretimin e drejtë të Kushtetutës, për të garantuar stabilitet institucional dhe respektim të lirive dhe të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës.
Si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë, më lejoni që për fund të rikujtoj gatishmërinë time për bashkëpunim të mëtutjeshëm e të frytshëm të Institucioneve të tjera Qeveritare të Republikës së Kosovës, për të arritur kështu së bashku avancimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit në vendin tonë.”