Njoftim për medie

06.06.2012

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në krye me Kryetarin e gjykatës, Prof. dr. Enver Hasani, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Tiranë, më 7 dhe 8 qershor 2012.

Kryetari Hasani dhe bashkëpunëtorët e tij, janë të ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë solemne, të organizuar me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Në kuadër të kësaj vizite, Kryetarit Hasani i është rezervuar nderi që të kryesojë njërën nga seancat e Konferencës ndërkombëtare dy ditore që do të mbahet me këtë rast, me temën: “Ndarja dhe balancimi i pushteteve – Roli i shqyrtimit kushtetues”.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës do të takohet me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe zyrtarë të lartë shtetëror.