Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Programin e USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë (JSSP), shënuan me një ceremoni solemne lansimin e ueb-faqes së re të Gjykatës, e cila u mbajt, të martën, më 16 janar 2018, në “Sheshin 21” në Prishtinë. Me një fjalim rasti, pjesëmarrësve në këtë ceremoni iu drejtuan kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, si dhe drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, z. James Hope.
Në fjalimin e saj kushtuar lansimit të ueb-faqes së re të Gjykatës, kryetarja Rama-Hajrizi ndër të tjera tha: “Dizajnimi i ueb-faqes së re është konceptuar duke marrë për shembull karakteristikat dhe cilësitë e ueb-faqeve më moderne të institucioneve të drejtësisë në botë, ku në veçanti vlen përmendur mundësinë e re për kërkimin më të avancuar të vendimeve të Gjykatës. Besoj që tash e tutje, ueb-faqja e re do të përafrojë edhe më shumë publikun e gjerë dhe mediet me vendimet dhe me punën e Gjykatës Kushtetuese”.
Me ndihmën e ueb-faqes së re, e cila përfaqëson një përpjekje serioze të Gjykatës për rritjen e nivelit të transparencës, si dhe të komunikimit më të mirë dhe më cilësor me publikun, të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, e në veçanti përfaqësuesit e sistemit gjyqësor, juristët dhe pjesëtarët e tjerë të komunitetit juridik, tash e tutje do të kenë mundësi shumë më praktike për kërkim dhe hulumtim të avancuar të vendimeve të Gjykatës.
Kërkimin e avancuar e mundëson baza e të dhënave të vendimeve në ueb-faqe, e cila pjesërisht është projektuar sipas shembullit të ueb-faqes së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg.
Mundësia e kërkimit të avancuar është projektuar edhe në seksionet e tjera të ueb-faqes, krahas mundësisë së abonimit të drejtpërdrejt në buletinet e praktikës ligjore, buletinet informativ, si dhe në vendimet e fundit të publikuara nga Gjykata.
Zhvillimi i ueb-faqes është financuar në tërësi nga Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë të USAID-it, që është njëri prej donatorëve dhe partnerëve më të rëndësishëm të Gjykatës Kushtetuese që nga themelimi i saj.
Prezantimi i ueb-faqes së re të Gjykatës Kushtetuese u bë nga drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim dhe njëherësh kryesuesi i Grupit punues për zhvillimin e ueb-faqes, z. Veton Dula, si dhe këshilltari ligjor i Gjykatës dhe njëri nga anëtarët e Grupit punues për zhvillimin e ueb-faqes, z. Jeton Bytyqi.