Një delegacion nga Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë vizitoi Gjykatën

09.09.2024

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani dhe gjyqtarja Remzije Istrefi – Peci, pritën në takim të përbashkët një delegacion zyrtar nga Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë.

Gjatë bashkëbisedimit me delegacionin e përbërë nga këshilltarë dhe hulumtues ligjor të Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, kryetarja Caka – Nimani fillimisht i njoftoi ata me historikun e shtet-ndërtimit dhe zhvillimit të gjyqësisë kushtetuese në Kosovë, me themelimin e Gjykatës Kushtetuese dhe hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me ndihmën e ofruar nga donatorë të shumtë ndërkombëtarë në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe profesionale të Gjykatës.

Në vazhdim, kryetarja Caka – Nimani diskutoi edhe për konsolidimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës ndër vite, rastet më me rëndësi të trajtuara, për zbatimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimet e Gjykatës, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me Komisionin e Venecias dhe gjykatat kushtetuese të shteteve tjera anëtare.

Ajo shprehu një falënderim të veçantë për Gjykatën Kushtetuese Federale të Gjermanisë, për ndihmën e ofruar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që nga ditët e para të themelimit, duke veçuar përkrahjen e ofruar nga Qeveria gjermane për punëtoritë profesionale me gjyqësorin e rregullt, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në përpjekjet për anëtarësimin e Gjykatës në forumet profesionale ndërkombëtare.

Gjyqtarja Remzije Istrefi – Peci i njoftoi ndërkaq mysafirët gjermanë më për së afërmi me qasjen e qytetarëve në Gjykatë, për organizimin e ditëve të Gjykatës së hapur, si dhe për takimet dhe vizitat periodike që nxënësit, studentët dhe pjesëtarët e komunitetit juridik i realizojnë në bashkëpunim me Gjykatën Kushtetuese.