Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për vizitë pune në Gjykatën Kushtetuese të Italisë

27.09.2019

Një delegacion i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në krye me kryetaren e Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi, qëndroi për vizitë pune në Gjykatën Kushtetuese të Italisë, me seli në Romë, të premten, më 27 shtator 2019.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u prit në takim nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Italisë, z. Giorgio Lattanzi, dhe dy zëvendëskryetarët e kësaj gjykate, znj. Marta Cartabia dhe z. Mario R. Morelli.

Gjatë bashkëbisedimit, të dyja palët shkëmbyen përvojat dhe pikëpamjet e tyre përkitazi me sistemet respektive gjyqësore të të dyja vendeve, duke pasur në fokus veçanërisht pavarësinë funksionale të gjykatave kushtetuese, procesin e emërimit të gjyqtarëve kushtetues, si dhe reformat ligjore në sistemin e drejtësisë. Kontrolli kushtetues i akteve të autoriteteve qendrore, shqyrtimi i vendimeve të gjyqësorit të rregullt dhe thellimi i bashkëpunimit në fushat me interes reciprok, ishin gjithashtu temë e diskutimit në takim. Gjyqtarët e të dy gjykatave në vazhdim morën pjesë në një punëtori të përbashkët, ku ndër temat e trajtuara ishte edhe roli i gjykatave kushtetuese në zbatimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.