Kryetarja Rama-Hajrizi priti në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomas Szunyog

25.05.2021

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomas Szunyog, në vazhdën e takimeve përshëndetëse me udhëheqës institucional vendor dhe ndërkombëtar në prag të përfundimit të mandatit të saj si gjyqtare dhe kryetare e Gjykatës.

Gjatë bashkëbisedimit, kryetarja Rama-Hajrizi e njoftoi z. Szunyog me punën e deritanishme të Gjykatës, me sfidat e përballura nga gjyqtarët në shqyrtimin e lëndëve në kushte pandemie dhe vendimmarrjen në distancë, si dhe me përpjekjet e vazhdueshme që janë bërë për rritjen e cilësisë së vendimeve në përputhje me praktikat ndërkombëtare të drejtësisë kushtetuese.

Kryetarja Rama – Hajrizi në vijim të takimit shprehu mirënjohjen e saj për ndihmën e ofruar ndër vite nga institucionet evropiane në ngritjen e kapaciteteve profesionale të Gjykatës Kushtetuese dhe shprehu besimin që kjo ndihmë nuk do të mungojë as në të ardhmen.

Pasi që e falënderoi për mikpritjen, z. Szunyog e përgëzoi kryetaren Rama – Hajrizi për të arriturat e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për konsolidimin e praktikës gjyqësore të saj dhe për avancimin e gjyqësisë kushtetuese në vend në harmoni me standardet evropiane.

Z. Szunyog konfirmoi gatishmërinë e Zyrës së BE-së për të vazhduar përkrahjen për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, si dhe për institucionet e tjera në vend, në shërbim të forcimit të sundimit të ligjit.