Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim njohës ambasadoren e re të Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine Butel.
Pasi që i uroj suksese në detyrën e re, kryetarja Rama-Hajrizi e informoi ambasadoren Butel me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese dhe me progresin e arritur në konsolidimin e gjyqësisë kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Zhvillimet aktuale në vend, sfidat në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe iniciativat për reforma ligjore e kushtetuese, ishin gjithashtu temë e diskutimit të përbashkët.
Kryetarja Rama-Hajrizi në vazhdim të takimit shprehu falënderimin e saj për kontributin e vazhdueshëm që Qeveria franceze u ka ofruar institucioneve të Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese të saj, nëpërmjet projekteve që për qëllim primar kishin avancimin e kapaciteteve profesionale e infrastrukturore, si dhe zhvillimin ekonomik në vend.
Ambasadorja Butel, pasi që e falënderoi kryetaren Rama-Hajrizi për mikpritjen, rikonfirmoi gatishmërinë e Francës që të mbështesë edhe më tutje përpjekjet e Gjykatës Kushtetuese dhe të institucioneve të tjera në zbatimin e standardeve evropiane të drejtësisë.