Kryetarja Rama-Hajrizi priti në takim kryetarin e Komisionit të Venecias

25.10.2018

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim të përbashkët kryetarin e Komisionit Evropian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias), z. Gianni Buquicchio, dhe zëvendës-përfaqësuesen e Republikës së Irlandës në Komisionin e Venecias, znj. Grainne McMorrow.

Në takim u trajtuan tema të ndryshme që në fokus patën kryesisht çështjet e ndërlidhura me punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përpjekjet serioze që po bëhen në thellimin e reformave në sistemin gjyqësor të Kosovës, si dhe progresin e shënuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nivel vendi.

Në vijim të bisedës, kryetarja Rama-Hajrizi vuri në dukje edhe sfidat me të cilat Gjykata Kushtetuese u përballë muaj më parë në funksionimin e saj, kur pas largimit të katër gjyqtarëve kushtetues humbi kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, duke vënë theksin në faktin se, nëntë vite pas themelimit të Gjykatës trupi gjykues tani përbëhet vetëm nga gjyqtarë vendorë.

Kryetarja Rama-Hajrizi i vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me Komisionin e Venecias, si dhe me gjykatat kushtetuese të shteteve anëtare, me ç’rast shprehu mirënjohjen e saj për kontributin e dhënë nga ky institucion për promovimin e sundimit të së drejtës dhe zhvillimin e gjyqësisë kushtetuese, veçanërisht në vendet evropiane në tranzicion.