Kryetarja Rama-Hajrizi merr pjesë në 25-vjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Andorrës

13.07.2018

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Principatën e Andorrës, të enjten, më 12 korrik 2018, me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të këtij vendi.

Ajo është ftuar për të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare me temë: “Gjykatat Kushtetuese: Garantuese të cilësisë demokratike të shoqërive”, e organizuar me rastin e kremtimit të 25-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Andorrës, në kryeqytetin Andorra la Vella.

Pjesëmarrësve në Konferencën ndërkombëtare, kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese e supreme nga e gjithë bota, kryetarja Rama-Hajrizi iu drejtua me një prezantim në temën: “Garantimi i ndarjes së pushteteve”, me ç’rast shpalosi pikëpamjet e saj përkitazi me domosdoshmërinë e ndarjes së pushteteve dhe rolin e rëndësishëm që gjykatat kushtetuese luajnë në këtë proces.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin andorrian, kryetarja Rama-Hajrizi u takua edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Andorrës, z. Isidre Molas Batllori, si dhe me zëvendëskryetarin e kësaj gjykate dhe kryetarin e ardhshëm të saj, z. Dominique Rousseau.