Kryetarja Caka – Nimani u takua me krerët e institucioneve gjyqësore të Francës

06.12.2022

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare disaditëshe në Paris, më 30 nëntor – 2 dhjetor 2022, që u realizua me mbështetjen e ambasadës së Francës në Republikën e Kosovës.

Në ditën e parë të vizitës, kryetarja Caka-Nimani u takua me kryetarin e Këshillit Kushtetues të Francës, z. Laurent Fabius, dhe me kryetarin e Këshillit Shtetëror të Francës, z. Didier – Roland Tabuteau. Temë e diskutimeve të përbashkëta, në të dy takimet, ishin të arriturat e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në nivel vendi. Në takimet e ndara me z. Fabius dhe z. Tabuteau, kryetarja vuri theksin edhe në nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndër-institucional ndërmjet institucioneve përkatëse me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe të njohurive praktike në fushat me interes reciprok.

Në ditën e dytë të vizitës në Paris, kryetarja Caka – Nimani zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të Senatit francez, të ngarkuar me çështjet politike, legjislative dhe të drejtat e njeriut për rajonin e Kosovës dhe Ballkanin Perëndimor, përfshirë Nënkryetaren e Senatit Valerie Letard dhe Senatoren Laure Darcos, që gjithashtu udhëheq grupin ndërparlamentar të miqësisë ndërmjet Francës dhe Ballkanit Perëndimor.

Kryetarja Caka – Nimani vizitën në kryeqytetin francez e përmbylli me takimin e përbashkët me kryetarin e Gjykatës së Kasacionit të Francës, z. Christophe Soulard, me të cilin ndërmjet tjerash diskutuan përkitazi me sfidat në procedurat e kontrollit kushtetues dhe interpretimin uniform të ligjeve në të dyja vendet dhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet dy Gjykatave.