Kryetarja Caka – Nimani u prit në takim nga Presidentja e Kosovës

30.06.2021

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, pas marrjes së detyrës së Kryetares së Gjykatës, u takua sot me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani – Sadriu.

Roli dhe funksioni i Gjykatës Kushtetuese si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe rëndësia e saj në mbrojtjen e rendit dhe vlerave kushtetuese, forcimi i sundimit të ligjit dhe thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e respektimit të kushtetutshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ishin disa prej temave që u diskutuan në takimin e përbashkët të zhvilluar në Zyrën e Presidentes.

Në vijim të bisedës, të dyja palët shkëmbyen pikëpamjet e tyre edhe sa i përket nevojës për ruajtjen dhe përforcimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, si dhe avancimit të mekanizmave për mbrojtjen efektive të të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë qytetarët e Kosovës në harmoni me standardet ndërkombëtare.