Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim shefin e ri të Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së në Kosovë, z. Aivo Orav.
Pasi që i uroi suksese në detyrën e re, kryetarja Caka – Nimani e njoftoi z. Orav me historikun e themelimit të Gjykatës Kushtetuese, që pasoi miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në vitin 2008, me vendimet më me rëndësi të Gjykatës ndër vite dhe me progresin e arritur në konsolidimin e praktikës gjyqësore.
Ajo shprehu një falënderim të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme që institucionet evropiane dhe donatorët e tjerë ndërkombëtar i ka dhënë Gjykatës Kushtetuese në konsolidimin e kapaciteteve të saj profesionale dhe infrastrukturore.
Kryetarja Caka – Nimani në vazhdim vuri theksin edhe në rolin me rëndësi që Gjykata Kushtetuese vazhdon të ketë në proceset e zhvillimit demokratik të vendit, si dhe për zbatimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimmarrjen e saj.
Ambasadori Orav konfirmoi nga ana e tij se, përkrahja për forcimin e sundimit të ligjit në vend dhe për një sistem gjyqësor të pavarur mbetet prioritet i institucioneve të BE-së.