Kryetarja Caka – Nimani priti në takim Avokatin e Popullit të Turqisë

02.07.2021

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim Avokatin e Popullit të Republikës së Turqisë, z. Şeref Malkoç, të shoqëruar nga ambasadori i Turqisë në Kosovë, z. Çağrı Sakar.

Pasi që e falënderoi për vizitën, kryetarja Caka – Nimani fillimisht e njoftoi z. Malkoç me punën e deritanishme të Gjykatës, me natyrën e kërkesave të parashtruara nga individët, me procesin e pranimit të kërkesave dhe të shqyrtimit të lëndëve në kushte pandemie, si dhe me zbatimin e vendimeve të Gjykatës nga autoritetet shtetërore.

Në vazhdim ajo vuri theksin në rolin e rëndësishëm që ka luajtur Gjykata Kushtetuese e Kosovës me vendimmarrjen e saj ndër vite, veçanërisht në mbrojtjen e kushtetutshmërisë në vend dhe promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe për raportet e bashkëpunimit të shkëlqyer me shumë gjykata homologe në rajon dhe me gjerë, përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese të Turqisë.

Nga ana e tij, pasi që i uroi suksese znj. Caka – Nimani në detyrën e saj të re si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, z. Malkoç shprehu vullnetin për shkëmbimin e përvojave reciproke dhe për bashkëpunim të ngushtë institucional në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.