Kryetarja Caka – Nimani priti në takim Avokatët e Popullit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

01.12.2021

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim një delegacion të përbërë nga Avokati i Popullit të Kosovës, z. Naim Qelaj, Avokati i Popullit të Shqipërisë, znj. Erinda Ballanca, Avokati i Popullit të Maqedonisë së Veriut, z. Naser Zyberi, dhe Komisioneri i Shqipërisë për Mbrojtje nga Diskriminimi, z. Robert Gajda.

Pasi që i informoi mysafirët përkitazi me konsolidimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në harmoni me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kryetarja Caka – Nimani vuri në dukje rëndësinë e qëndrueshmërisë së jurisprudencës të gjykatave në ndarjen e drejtësisë për qytetarët, duke respektuar parimin e sigurisë juridike.

Gjatë takimit, të gjitha palët konfirmuan misionin fisnik që kanë gjykatat kushtetuese dhe institucionet e avokatit të popullit në garantimin e funksionimit demokratik të mekanizmave shtetëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me ç’rast shkëmbyen përvojat reciproke përkitazi me ankesat kushtetuese dhe problematikat që hasin qytetarët e kategorive të ndryshme në vendet e tyre.

Me rëndësi të veçantë në takim u vlerësuan edhe reformimi dhe forcimi i kornizës ligjore shtetërore përkitazi me të drejtat e njeriut, si dhe informimi i vazhdueshëm i qytetarëve lidhur me të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara.