Kryetarja Caka-Nimani priti në takim ambasadorin jorezident të Kanadasë për Kosovë, Alan Bowman

15.03.2022

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim ambasadorin jorezident të Kanadasë për Kosovë, z. Alan Bowman.

Pasi që e falënderoi për vizitën, kryetarja Caka – Nimani e njoftoi ambasadorin Bowman me punën e deritanishme të Gjykatës, me përpjekjet për konsolidimin e praktikës gjyqësore të saj bazuar në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe rritjen e transparencës ndaj publikut.

Kryetarja Caka – Nimani në vazhdim diskutoi edhe për marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit me gjykatat homologe në rajon dhe në botë, përfshirë këtu edhe Gjykatën Supreme të Kanadasë.

Ambasadori Bowman, i cili shërben si ambasador rezident në Zagreb të Kroacisë, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Kanadasë.