Kryetarja Caka – Nimani priti në takim ambasadorin e ri të SHBA, Jeffrey M. Hovenier

15.02.2022

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Jeffrey M. Hovenier.

Pasi që i uroi suksese ambasadorit Hovenier në detyrën e tij të re, kryetarja Caka – Nimani bëri një prezantim të shkurtër mbi punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese dhe prioritetet për të ardhmen, duke nënvizuar përkushtimin e palëkundur për avancimin e drejtësisë kushtetuese në Republikën e Kosovës.

Kryetarja Caka – Nimani në vijim diskutoi edhe për raportet e mira institucionale me gjykatat homologe në rajon dhe më gjerë, me ç’rast vuri theksin në bashkëpunimin e ngushtë edhe me Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara.

Ajo shfrytëzoi rastin që të shpreh mirënjohjen e saj për ndihmën e vazhdueshme që Qeveria e SHBA-ve i ka ofruar Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet projekteve të ndryshme për ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve profesionale dhe infrastrukturore.

Ambasadori Hovenier, pasi që falënderoi kryetaren Caka – Nimani për mikpritjen, u shpreh i lumtur që do të shërbejë përsëri në Kosovë dhe u zotua se do të angazhohet që marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të forcohen edhe më tej.