Kryetarja Caka – Nimani priti në takim ambasadoren e Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine Butel

09.11.2021

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim ambasadoren e Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine Butel.

Puna e deritanishme e Gjykatës Kushtetuese, sfidat aktuale në funksionimin e saj dhe prioritetet në punë gjatë vitit të ardhshëm, ishin ndër temat e diskutuara në takimin e përbashkët.

Kryetarja Caka – Nimani në vazhdim e njoftoi ambasadoren Butel edhe me raportet e mira të bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave homologe në rajon dhe më gjerë, si dhe me përpjekjet e Gjykatës për anëtarësim në organizatat dhe iniciativat e ndryshme ndërkombëtare.

Ambasadorja Butel konfirmoi nga ana e saj zotimin e Qeverisë franceze për vazhdimin e përkrahjes së institucioneve të Kosovës në përpjekjet e tyre për forcimin e sundimit të ligjit dhe arritjen e standardeve ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut.