Kryetarja Caka – Nimani në vizitë zyrtare në SHBA

20.11.2021

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare disaditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të premten, më 19 nëntor 2021, kryetarja Caka – Nimani u takua në Uashington me zv.ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve dhe Këshilltarin për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, z. Bruce C. Swartz.

Pasi që i shprehu falënderimin për ndihmën e vazhdueshme që SHBA-të i kanë ofruar Kosovës dhe zhvillimit institucional të saj ndër vite, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, kryetarja Caka – Nimani e njoftoi z. Swartz përkitazi me të arriturat dhe sfidat në gjyqësinë kushtetuese. Të dyja palët në vazhdim shkëmbyen pikëpamjet e tyre lidhur me mekanizmat më efektiv për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe rëndësinë e konsolidimit të sundimit të së drejtës në çdo vend demokratik.

Gjatë qëndrimit në Uashington, kryetarja Caka – Nimani u takua edhe me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), si dhe me përfaqësues të SHBA-ve në Komisionin e Venecias.

Vizitën e saj në SHBA, kryetarja Caka-Nimani e filloi fillimjavën e kaluar me pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare me temë: “Të drejtat e patjetërsueshme dhe traditat e konstitucionalizmit”, organizuar nga Instituti Kellog për Studime Ndërkombëtare në Universitetin Notre Dame, në të cilën pjesëmarrës ishin gjyqtarë e kryetarë të gjykatave kushtetuese dhe supreme të shteteve anembanë botës, si dhe akademikë dhe ekspertë të shquar ndërkombëtarë në fushën e të drejtave të njeriut. Duke qenë njëra nga panelistet kryesore në konferencë, kryetarja Caka – Nimani bëri një prezantim të detajuar përkitazi me traditën kushtetuese të Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në përputhje me parimet e mishëruara në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Me ftesë të Fakultetit Juridik në kuadër të Universitetit Notre Dame, kryetarja Caka – Nimani gjithashtu mbajti edhe ligjëratë mbi historikun dhe traditën kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.