Kryetarja Caka – Nimani mori pjesë në tryezën: “Gratë në drejtësinë komerciale”

24.11.2021

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, mori pjesë në tryezën me temë: “Gratë në drejtësinë komerciale”, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Programin për Drejtësi Komerciale të USAID, në “Hotel International Prishtina” në Prishtinë.

Në fjalimin e mbajtur para audiencës së përbërë nga gratë përfaqësuese të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, si dhe nga fusha e biznesit, kryetarja Caka – Nimani ndër të tjera tha se, integrimi i plotë i grave në jetën publike dhe në sektorin privat vazhdon të jetë i sfiduar me pengesat strukturore, sociale, ekonomike dhe kulturore.

Kryetarja Caka – Nimani në vazhdim theksoi se, “nuk është e rastësishme që hartuesit e Kushtetutës kanë rregulluar barazinë para ligjit në nivel preambule”, duke e cilësuar barazinë gjinore si vlerë themelore dhe si parakusht esencial për zhvillimin e qëndrueshëm dhe demokratik të shoqërisë.

Ajo e vlerësoi si jashtëzakonisht me rëndësi për drejtësinë komerciale përmbarimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, si dhe përmirësimin e mekanizmave përmes së cilave gratë do të kenë qasje më të lehtësuar në drejtësi, si dhe pjesëmarrje më të madhe në vendimmarrje.