Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, z. Nexhmi Rexhepi, priti në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, z. Sabri Tunç Agili.
Pasi që e falënderoi për vizitën, kryetari Rexhepi fillimisht i bëri një përshkrim të shkurtër punës së deritanishme të Gjykatës, me fokus në të arriturat dhe sfidat e hasura në punë gjatë vitit që shkoi.
Ai vuri theksin në bashkëpunimin e shkëlqyer me Gjykatën Kushtetuese të Turqisë dhe përkrahjen që kjo gjykatë i ka ofruar ndër vite Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me ç’rast edhe u zotua për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy gjykatave homologe.
Pasi që i uroi suksese kryetarit Rexhepi në detyrën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ambasadori Agili konfirmoi gatishmërinë e Turqisë për vazhdimin e përkrahjes ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe për forcimin e sundimit të ligjit në vend.