Konferencë ndërkombëtare për lirinë e shprehjes

05.12.2019

Gjyqtarët dhe këshilltarët kushtetues-juridikë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës morën pjesë në Konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë në temën: “Liria e shprehjes dhe jurisprudenca kushtetuese në Ballkanin Perëndimor”, që u mbajt në “Hotel Swiss Diamond” në Prishtinë.

Në fjalën e saj hapëse, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, ndër të tjera tha se, “Gjykata Kushtetuese e Kosovës asnjëherë nuk e ka kufizuar veten duke u mbështetur në interpretimin vetëm të dispozitave të Kushtetutës së vendit kur është fjala për respektimin e lirisë së shprehjes”. Sipas saj, në mbrojtje të kësaj të drejte themelore të njeriut, “Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka marrë parasysh dhe ka bërë krahasimin me praktikat e konsoliduara të gjykatave kushtetuese evropiane, dhe çdoherë ka aplikuar me besnikëri nenet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ)”.

Në mesin e folësve kryesor në konferencë, që për qëllim pati edhe diskutimin dhe shkëmbimin e përvojave të gjykatave kushtetuese të rajonit në zbatimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ishte edhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Remzije Istrefi-Peci, e cila mbajti një prezantim në çështjen e lirisë së shprehjes për gjyqtarët sipas praktikës së GJEDNJ-së, z. Naser Ajdari, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, znj. Mirjana Lazarova, ish-gjyqtare në GJEDNJ, znj. Beth Grossman, avokate në Britaninë e Madhe, z. Paolo Cavalieri, profesor i së drejtës së mediave në Universitetin e Edinburgut, znj. Fatma Gülbin Üzcüre, këshilltare e lartë ligjore në Gjykatën Kushtetuese të Turqisë dhe znj. Sevima Sali Terziq, këshilltare e lartë ligjore në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

Në vijim të konferencës u shfaq edhe video-animacioni i realizuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me përkrahjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, përkitazi me të drejtën dhe mënyrat e parashtrimit të kërkesave nga individët dhe palët e tjera të autorizuara në Gjykatën Kushtetuese.