Selvete Gërxhaliu Krasniqi

Gjyqtare

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi është gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Gjyqtarja Gërxhaliu-Krasniqi është juriste me profesion dhe njëherësh doktorante në Institutin për të Drejtën dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në “Karl Franzens Universitat” të Austrisë.

Prej vitit 1999, ajo ka punuar në tri fusha: në lëmin e të drejtave të njeriut, në hartimin dhe në komentimin e ligjeve, si dhe në barazi gjinore. Në të gjitha pozitat profesionale, ajo është sponsorizuar nga organizatat ndërkombëtare, si: NRC, OSCE, UN WOMEN dhe UNDP.

Gjatë gjithë kësaj kohe, gjyqtarja Gërxhaliu-Krasniqi ka ndihmuar profesionalisht edhe organizatat e shoqërisë civile. Prej vitit 2003, ajo e ka kryesuar Bordin e “Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe për Parandalimin e Trafikimit”. Gjithashtu, nga viti 2012, ajo ka mbështetur edhe “Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës”.

Gjyqtarja Gërxhaliu-Krasniqi po ashtu ligjëron lëndë nga fusha e drejtësisë. Së bashku me Grupin Konsultues të Helsinkit, gjatë viteve 2005-2009, ajo ka kontribuar si ligjëruese/këshilltare në themelimin e Departamentit të Pedagogjisë Sociale, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Gjithashtu, ajo ka ligjëruar edhe në Departamentin e Shkencave Politike, Programi i Tempus-it, “Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Civile”.

Gjyqtarja Gërxhaliu-Krasniqi, gjatë karrierës së saj ka qenë autore dhe bashkë-autore e disa publikimeve/hulumtimeve/artikujve:

  • Hulumtim në kuadër të Kornizës së Gjashtë të Komisionit Evropian: “Siguria Njerëzore, Krimi i Organizuar dhe Problemi i Terrorizmit nga perspektiva e Kosovës“;
  • Doracak për shërbimet sociale të Kosovës: “Zgjidhja e rasteve të dhunës në familje” – bashkautore, publikuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë;
  • Raport i UNICEF-it: “Korniza ligjore për të drejtat e fëmijëve në Kosovë” – bashkë-autore, publikuar nga UNICEF;
  • Mundësitë ligjore të luftimit të trafikimit me qenie njerëzore në nivelin lokal“ – raport vlerësues për Qendrën Juridike të Kosovës/mbështetur nga CRS/USAID;
  • Trafikimi dhe prostitucioni i grave” – libër i botuar në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze;
  • Trafikimi i grave, sfidat për UNMIK-un” – botuar nga Qendra Juridike e Kosovës;
  • Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut – Neni 4: Ndalimi i skllavërisë – avokimi për të drejtat e njeriut” – botuar në gazetën “Zëri”.

Gjyqtarja Selvete Gërxhaliu-Krasniqi është e martuar dhe ka dy fëmijë.