Prof.dr. Snezhana Botusharova-Doicheva

Gjyqtare

Prof.dr. Snezhana Botusharova-Doicheva është gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ajo është gjithashtu profesoreshë-vizitore në lëndën e të drejtave të njeriut dhe të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare në Universitetin e Rigas në Latvi.

Para emërimit si gjyqtare në këtë Gjykatë, që nga viti 2008, ajo shërbeu si gjyqtare ndërkombëtare në Dhomën për Krime të Luftës të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe ishte gjithashtu anëtare e Panelit Këshillues të UNMIK-ut për të drejtat e njeriut.

Ndërmjet viteve 1998 dhe 2008, gjyqtarja Botusharova ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ku gjithashtu ishte zëvendëskryetare e Seksionit V të kësaj Gjykate.

Ajo ka qenë Ambasadore e Republikës së Bullgarisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga viti 1994 deri 1998. Gjyqtarja Botusharova ishte po ashtu deputete në Asamblenë e Madhe Kombëtare dhe ishte njëra nga autoret e Kushtetutës së re të Bullgarisë. Ajo u rizgjodh si deputete edhe për një mandat, kur edhe ishte zëvendëskryetare dhe ushtruese detyre e Kryetarit të Asamblesë për një kohë. Si deputete e Asamblesë, ajo mori pjesë në aktivitete të ndryshme legjislative, në përgatitje të bazës ligjore për tranzicionin e Bullgarisë për demokraci dhe sundim të ligjit.

Në vitet 1991 – 1994, gjyqtarja Botusharova ishte anëtare e Komisionit Evropian për Demokraci përmes Ligjit të Këshillit të Evropës (Komisioni i Venedikut) dhe si e tillë përgatiti opinione të ndryshme ligjore rreth draft Kushtetutës së Ukrainës, Federatës Ruse dhe Moldavisë.

Më parë, ajo ishte avokate në Sofje, ku më vonë filloi mësimdhënien në Universitetin “St. Kliment Ohridski”, në “Universiteti i ri i Sofjes” dhe në Universitetin “Neofit Rilski” në Blagoevgrad, si profesoreshë e të Drejtës Kushtetuese. Ajo është anëtare e Asociacionit Ndërkombëtar të Gjyqtareve Femra dhe e Asociacionit Ndërkombëtar të të Drejtës Kushtetuese.

Gjyqtarja Botusharova është autore e artikujve të ndryshëm në të drejtën kushtetuese dhe në çështje të ndryshme të të drejtave të njeriut. Studimet për drejtësi dhe ato post-diplomike i kreu në Universitetin St. Kliment Ohridski në Sofie, ndërsa studimet për doktoratë i kreu në Universitetin Shtetërorë Lomonosov në Moskë.