Dr. Altay Suroy

Gjyqtar

Dr. Altay Suroy është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Para emërimit në Gjykatën Kushtetuese, më 2009, nga viti 2006 e deri më 2008, ishte Zëvendësministër i Drejtësisë. Gjatë viteve 2000 – 2006, ai kreu detyrën e Prokurorit Publik të Qarkut në Prizren.
Gjatë viteve 1989 – 2000, ishte avokat në Prizren.

Në vitet 1976 – 1989, ai ishte gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prizren, ndërsa para kësaj pozite, në vitet 1972 – 1976, ishte drejtor i Shërbimeve Juridike në Kombinatin Industrial-Bujqësor “Progres-Export” në Prizren. Ndërmjet viteve 1969 – 1972, gjyqtari Suroy punoi gazetar për gazetë turke “Tan” në Prishtinë.

Më 2007 u emërua në postin e Zëvendëskomisionarit për Ndihmë Juridike, ku shërbeu deri më 2009. Gjatë karrierës së tij, ai mori pjesë në hartimin e disa ligjeve të rëndësishme. Ishte gjithashtu udhëheqës i Komisionit Zgjedhor në periudhën 1977 – 1989 në Prizren, si dhe në Gjimnazin e Prizrenit mbante lëndët “Hyrje në drejtësi” dhe “E drejta kushtetuese”. Ai mori pjesë edhe në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të vitit 2008, në cilësinë e ekspertit.

Gjyqtari Suroy ishte themelues i disa organizatave joqeveritare në Kosovë dhe u angazhua vazhdimisht në aktivitete gazetareske në Kosovë e në Turqi. Ai u paraqit me kumtesa në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Është anëtar i organizatave të shumta ndërkombëtare, si dhe anëtar i këshillave editoriale dhe recensuese të revistave me recension ndërkombëtar. Është autor i 15 librave të botuara në gjuhën turke, si: “Gjuha turke në Kosovë dhe përpjekja për identitet” (2004), “Të drejtat e komunitetit turk në Kosovë dhe të pjesëtarëve të tij” (2005), “Të jesh turk në Kosovë” (2006), “Përzgjedhje nga kumtesat e botuara në Turqi” (2001) etj.

Ai është edhe përkthyes i 6 librave. Studimet për drejtësi, gjyqtari Suroy i kreu në Universitetin e Prishtinës, ndërsa nga Këshilli Akademik i Universitetit Asia, në Baku të Azerbajxhanit, është shpallur Doktor Nderi.

Mandati i gjyqtarit Suroy në Gjykatën Kushtetuese është nëntë vjet.