Bajram Ljatifi

Gjyqtar

Bajram Ljatifi u emërua gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese me Dekretin e Presidentit më 9 gusht 2018, ndërsa Zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh më 17 shtator 2018 dhe u rizgjodh për një mandat tjetër trevjeçar, më 14 shtator 2021.

Studimet në drejtësi, gjyqtari Bajram Ljatifi, i përfundoi më 1984, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Në periudhën 1985-1988, ka punuar praktikant dhe jurist referent dhe më pas, në periudhën 1988-2000, sekretar në ndërmarrjen shoqërore për prodhimin e bizhuterive nga ari dhe argjendi “Filigran”, me seli në Prizren. Gjatë punës së tij në këtë kompani, ai drejtoi sektorin e përgjithshëm, sektorin ligjor dhe atë të burimeve njerëzore dhe ishte përgjegjës për përfaqësimin e këtij subjekti juridik si person i autorizuar në të gjitha kontestet para gjykatave të rregullta, para gjykatave të punës së bashkuar dhe para gjykatave  ekonomike, si dhe para autoriteteve të tjera kompetente shtetërore.

Në periudhën nga viti 1999 deri në vitin 2008 ka punuar profesor i lëndëve kushtetuese dhe lëndëve të tjera juridike në Shkollën e Mesme Ekonomike në Prizren, në drejtimet juridike dhe ekonomike në mësimdhënien në gjuhën boshnjake.

Gjatë kohës së mandatit për menaxhimin e zgjedhjeve nga OSBE, në dy raste, midis 2003 dhe 2004 dhe 2006-2008, u emërua nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.  Dhe, pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, në periudhën nga viti 2008-2018, u emërua nga Presidenti i Republikës anëtar i këtij institucioni për tre mandate të tjera të njëpasnjëshme.

Ai mori pjesë në tryezat e rrumbullakëta të parlamentit dhe të ekspertëve të OSBE-së për çështje kushtetuese, me theks të veçantë në të drejtat e njeriut dhe në të drejtat e komuniteteve joshumicë në periudhën para miratimit të Kushtetutës.

Nga maji 2007 e deri në prill 2008, ka punuar anëtar i Komisionit Kushtetues për hartimin e draftit të parë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në vitin 2008, ishte anëtar i Grupit punues qeveritar gjithëpërfshirës për hartimin e ligjeve që dalin nga Propozimi gjithëpërfshirës i Pakos së Ahtisarit për zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

Në periudhën 2008-2010, ka punuar Këshilltar politik për çështjet ligjore të ministrit të Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Ka punuar, gjatë vitit 2011 dhe 2012, ekspert ligjor pranë Komisionit parlamentar për hartimin e draftamendamentit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në hartimin e ligjit për ndërprerjen e juridiksionit për organizatat ndërkombëtare të angazhuara në procesin e monitorimit të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Ka punuar ekspert ligjor në Komisionin për hartimin e ligjit për reformën zgjedhore.

Ishte anëtar i Komisionit për hartimin e Statutit të Komunës së Prizrenit në vitin 2001 dhe 2008, si dhe anëtar i Komitetit për Komunitete të Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Ishte pjesëmarrës në shumë forume vendore dhe ndërkombëtare në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, të drejtave të pakicave dhe të të drejtave elektorale, të organizuara nga USAID-i, IFES-i, OSBE-ja, ACEEEO dhe AWEB-i. U certifikua vëzhgues ndërkombëtar i proceseve zgjedhore dhe vëzhgoi zgjedhjet në disa vende: në Shqipëri, në Maqedoni, në Poloni, në Bullgari, në Slloveni, në Mal të Zi, në Bosnje dhe Hercegovinë, në Shtetet e Bashkuara etj.

Në karrierën e tij juridike, gjyqtari Bajram Ljatifi, ka marrë shumë çmime dhe mirënjohje publike. Ndër të tjera, çmimin për drejtësi “Heroi Sali Çekaj” nga ministri i Drejtësisë, për kontributin e jashtëzakonshëm në hartimin e Kushtetutës së parë të Republikës së Kosovës, mirënjohje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për punën e jashtëzakonshme në zbatimin e procesit zgjedhor të vitit 2007, letër falënderimi nga Zëvendëspërfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm për ndërtimin e institucioneve dhe si kryesues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për punë profesionale në forumet zgjedhore për gjetjen e ndryshimeve në procedurat zgjedhore dhe propozimin e një kornize të ardhshme ligjore  për zgjedhje.

Ёshtё baba i një fëmije.