Ish-gjyqtari shqiptar i GJEDNJ-së për vizitë pune disaditëshe në Gjykatë

02.03.2020

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim ish-gjyqtarin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) nga Shqipëria, z. Ledi Bianku, i cili do të qëndrojë për vizitë pune njëjavore në Gjykatën Kushtetuese me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë.

Praktika e përgjithshme gjyqësore e GJEDNJ-së, përvoja e ish-gjyqtarit Bianku në trajtimin e kërkesave dhe procedurat e shqyrtimeve gjyqësore, si dhe vendimmarrja e njëjtë e gjyqtarëve të GJEDNJ-së në kërkesat e ngjashme, ishin vetëm disa ndër temat e trajtuara në diskutimin e përbashkët.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryetarja Rama-Hajrizi e njoftoi z. Bianku më në detaje edhe me konsolidimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në harmoni me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, për vizitat e deritanishme studimore në këtë gjykatë të gjyqtarëve dhe të këshilltarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me gjykatat kushtetuese anembanë botës të mundësuar nëpërmjet Forumit të Komisionit të Venecias.

Në përmbyllje të takimit, Kryetarja Rama-Hajrizi e falënderoi z. Bianku për vizitën dhe për gatishmërinë e shprehur që të ndajë së bashku me gjyqtarët dhe këshilltarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës përvojën dhe ekspertizën e tij, të fituar nga puna disavjeçare si gjyqtar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Pasi që e falënderoi Kryetaren Rama-Hajrizi për mikpritjen, ish-gjyqtari Bianku i vlerësoi lartë të arriturat e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në zbatimin e standardeve evropiane të drejtësisë kushtetuese.