Gjyqtarët e rinj informohen për rolin dhe funksionin e Gjykatës Kushtetuese

21.01.2022

Në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës u mbajt punëtoria përkitazi me rolin dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, si dhe raportin e saj me gjykatat e rregullta dhe institucionet e tjera në vend.

Punëtoria u organizua me iniciativë të Akademisë së Drejtësisë të Kosovës dhe në bashkëpunim me Gjykatën Kushtetuese, në kuadër të programit të trajnimit fillestar për gjyqtarët e sapoemëruar.

Gjatë punëtorisë së mbajtur, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Nexhmi Rexhepi, i njoftoi gjyqtarët e rinj më për së afërmi me rolin, funksionin dhe juridiksionin që ka Gjykata Kushtetuese në sistemin juridik të Republikës së Kosovës, si dhe për marrëdhëniet me gjyqësorin e rregullt dhe procedurat e trajtimit të lëndëve nga gjyqtarët kushtetues.

Gjyqtari Rexhepi i informoi gjyqtarët e sapoemëruar edhe për mundësitë që ofron kontrolli incidental, përkatësisht e drejta që gëzojnë gjykatat e rregullta për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesat që kanë të bëjnë me përputhshmërinë kushtetuese të një ligji që mund të jetë kontestuar gjatë procedurës gjyqësore.

Në vazhdim të punëtorisë u diskutua edhe për mënyrën e parashtrimit të kërkesave në Gjykatën Kushtetuese, për palët e autorizuara, për afatin kohor të shqyrtimit të rasteve, si dhe për marrëdhëniet e bashkëpunimit profesional të Gjykatës me Komisionin e Venecias dhe me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.