Në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës u mbajt punëtoria informuese me gjyqtarë të sapoemëruar, e organizuar në kuadër të programit të trajnimit fillestar nga Akademia e Drejtësisë së Kosovës.
Gjyqtarët e rinj u pritën në takim nga gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Nexhmi Rexhepi, i cili gjatë prezantimit të tij fillimisht diskutoi përkitazi me rolin dhe kompetencat që gëzon Gjykata në sistemin juridik të Republikës së Kosovës, për strukturën organizative të saj, si dhe palët e autorizuara për parashtrimin e kërkesave.
Gjyqtari Rexhepi në vijim foli më në detaje përkitazi me procedurat e trajtimit të rasteve, për kriteret e gjykimit të një rasti në kohë të arsyeshme, për shfrytëzimin e aktgjykimeve të Gjykatës si precedent për vendimmarrje për rastet e ngjashme, si dhe për mundësitë që nëpërmjet mekanizmit të kontrollit incidental gjykatat e rregullta t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë bashkëbisedimit, gjyqtarët e rinj shprehën interesimin e tyre që të informohen më hollësisht lidhur me rastet kur Gjykata mund të rishikojë praktikën e saj gjyqësore, dallimin në mes të kontrollit të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së akteve, si dhe për aspekte të ndryshme të procedurës së referimit të kërkesave përmes kontrollit incidental.