Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, z. Nexhmi Rexhepi dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Remzije Istrefi – Peci, pritën në takim një grup studentësh ndërkombëtarë të Programit Evropian (EMA) për studime pasuniversitare në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokratizim, nga kampusi universitar në Venedik.
Historiku i miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, roli dhe përgjegjësitë që ka Gjykata Kushtetuese në raport me gjykatat e rregullta dhe me organet e tjera të pushtetit shtetëror, palët e autorizuara sipas Kushtetutës për parashtrimin e kërkesave dhe procedimi i tyre, ishin vetëm disa ndër temat për të cilat kryetari Rexhepi foli në prezantimin e tij.
Gjyqtarja Istrefi – Peci ndërkaq gjatë diskutimit të saj i njoftoi studentët ndërkombëtarë për zbatimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe obligimin kushtetues për respektimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimmarrjen e Gjykatës, si dhe referimit që u bëhet opinioneve të Komisionit të Venecias dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.
Studentët ndërkombëtarë, ndër të tjera, shprehën nga ana e tyre interesimin që të njoftohen më për së afërmi lidhur me përbërjen e parë me gjyqtarë kushtetues ndërkombëtarë dhe rolin e tyre në ndërtimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, me përbërjen dhe strukturën etnike të stafit aktual, si dhe me kohëzgjatjen e trajtimit të lëndëve.