Gjykatën e vizituan studentët ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut

25.01.2024

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Remzije Istrefi – Peci, priti në takim një grup studentësh ndërkombëtarë të Programit Evropian (EMA) për studime pasuniversitare në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokratizim, nga kampuset universitare në Vjenë dhe Venedik.

Funksioni që ka Gjykata Kushtetuese në sistemin juridik të Republikës së Kosovës, struktura e saj organizative, palët e autorizuara për parashtrimin e kërkesave dhe roli me rëndësi që ka luajtur Gjykata ndër vite në vendosjen dhe mbrojtjen e themeleve të rendit kushtetues, ishin vetëm disa ndër temat për të cilat gjyqtarja Istrefi – Peci diskutoi në prezantimin e saj.

Gjyqtarja Istrefi – Peci në vazhdim i njoftoi studentët ndërkombëtarë edhe me kriteret e pranueshmërisë dhe trajtimin e kërkesave të parashtruara, me procesin e vendimmarrjes së Gjykatës dhe referimit të vazhdueshëm që në çdo vendim të saj i bëhet praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.