Gjykata mirëpriti studentët dhe qytetarët në “Ditën e Gjykatës së Hapur”

09.12.2022

Në aktivitetin e radhës “Dita e Gjykatës së Hapur”, organizuar në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, të premten, më 9 dhjetor 2022, Gjykatën Kushtetuese e vizituan studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, një grup qytetarësh dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë.

Studentët u pritën në takim nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka – Nimani, e cila gjatë prezantimit të saj bëri një përshkrim të shkurtër të historikut të themelimit të Gjykatës, të përbërjes së parë me gjyqtarë dhe zyrtarë ndërkombëtarë, krahas atyre vendor, si dhe për sfidat e përballura gjatë trajtimit të çështjeve të ndryshme kushtetuese, mbi të cilat edhe janë vënë themelet e gjyqësisë kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Në vijim të prezantimit të saj, kryetarja Caka – Nimani foli edhe për rëndësinë që ka në nivel global Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, si dhe për respektimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe zbatimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Studentët nga ana e tyre shprehën interesimin që të informohen më për së afërmi përkitazi me raportin e Gjykatës Kushtetuese me gjyqësorin e rregullt, me kriteret e parashtrimit të kërkesave në Gjykatë, me procedurën e shqyrtimit të tyre dhe vendimmarrjen, si dhe për të drejtën e kompensimit të palëve në procedurë dhe të drejtën e ankimit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg.

Në “Ditën e Gjykatës së Hapur”, kryetarja Caka – Nimani, e shoqëruar nga gjyqtarja Selvete Gërxhaliu – Krasniqi, pritën në vizitë edhe një grup juristësh dhe praktikantësh të angazhuar në kuadër të projektit “Just React” të organizatës joqeveritare “Grupi për Studime Juridike dhe Politike”, për monitorimin e punës së gjykatave të rregullta në Republikën e Kosovës.

Afatet për parashtrimin e ankesave kushtetuese, numri i lëndëve të pashqyrtuara dhe obligimi kushtetues për zbatimin e vendimeve të Gjykatës, ishin vetëm disa ndër çështjet për të cilat juristët e rinj shprehën interesimin që të informohen më hollësisht.