Shikuar nga aspekti historik, Kosova si njësi federale në ish-Federatën Jugosllave, ka aplikuar kontrollin e kushtetutshmërisë përmes gjykatës kushtetuese. Edhe pse gjykata e parë kushtetuese në Jugosllavinë Federale ka qenë themeluar qysh në vitin 1963, për shkak të pozitës politiko-shoqërore aplikimi i kontrollit të kushtetutshmërisë në Kosovë paraqitet që nga viti 1969. Me Ligjin Kushtetues të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) më 1969 fillimisht ishte konstituuar dega Gjyqësore Kushtetuese pranë Gjykatës Supreme të Kosovës.
Zgjerimi i funksioneve legjislative të Krahinës, me ndryshimet kushtetuese të vitit 1971, ndikoi edhe në organizimin më të gjerë në lëmin e mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë. Në këtë drejtim, me amendamentin X për Ligjin Kushtetues të KSAK-së, konstituohet Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si organ i pavarur për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, me funksion dhe pozitë identike me ato të gjykatave kushtetuese në republikat e Federatës Jugosllave.
Me Kushtetutën e Kaçanikut të vitit 1990, po ashtu ka qenë paraparë institucioni i Gjykatës Kushtetuese, si garantues dhe mbrojtës i kushtetutshmërisë dhe i ligjshmërisë, mirëpo për shkak të suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe vendosjes së pushtetit okupues të Serbisë, ajo asnjëherë nuk u konstituua. Pas luftës së vitit 1999 dhe vendosjen e Kosovës nën administrimin e OKB-së, me Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme, të 15 majit 2001, është paraparë themelimi i të ashtuquajturit Kolegj i Veçantë i Gjykatës Supreme mbi Çështjet e Kornizës Kushtetuese. Edhe pse në praktikë ky institucion nuk është themeluar dhe vënë në funksion ndonjëherë, me Kornizën Kushtetuese janë përcaktuar vetëm funksionet e këtij Kolegji dhe subjektet që mund të kërkojnë fillimin e procedurës, ndonëse nuk ishte përcaktuar as numri i gjyqtarëve e as mënyra e punës së këtij Kolegji.
Si rrjedhojë e zhvillimeve të reja politike në vend dhe nevojës për themelimin e institucioneve kryesore të Republikës së Kosovës, në maj të vitit 2008, me vendim të Presidentit të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrit të vendit, z. Hashim Thaçi, u formua Grupi Punues për themelimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky Grup Punues u autorizua që të përgatisë kuadrin normativ të nevojshëm për funksionimin e Gjykatës; të hartoj planin buxhetor 2009, 2010 dhe 2011; të dizajnojë hierarkinë organizative të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të përgatisë planin për vendosjen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Përbërja e Grupit Punues ka pasur një përfaqësim gjithëpërfshirës të institucioneve të Republikës së Kosovës (Qeverisë dhe Zyrës së Presidentit), të organizatave ndërkombëtare (USAID, ICO, Këshilli i Evropës) dhe ekspertë juridik të vendit dhe ndërkombëtar, të cilët, në periudhën kohore maj – dhjetor 2008, dhanë një kontribut të çmuar në realizimin e të gjitha detyrave që u ishin ngarkuar. Aktivitetet e Grupit Punues u mbështetën nga Sekretariati i Grupit, ndihma teknike dhe profesionale e ofruar nga EWMI, dhe e mbështetur financiarisht nga DFID.