Gjykata Kushtetuese do të kremtojë Vitin e 9-të Gjyqësor

24.10.2018

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës do të kremtojë Vitin e 9-të Gjyqësor me një ceremoni solemne, që do të organizohet në sallën “Beethoven” të hotelit “Emerald” në Prishtinë, të enjten, më 25 tetor 2018.

Ceremonia do të fillojë në orën 17:00 dhe në të pritet të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë, përfaqësuesit e akredituar të misioneve diplomatike dhe të organizatave ndërkombëtare në vend, si dhe delegacionet e nivelit më të lartë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, Gjykata Kushtetuese e Bullgarisë, Gjykata Kushtetuese e Turqisë, Gjykata Kushtetuese e Maltës, Gjykata Kushtetuese e Letonisë dhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë.

Pjesëmarrës në ceremoninë e Vitit të 9-të Gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese do të jenë edhe kryetari i Komisionit Evropian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias), z. Gianni Buquicchio, si dhe juristja me nam ndërkombëtar dhe njëherësh zëvendëspërfaqësuesja e Republikës së Irlandës në Komisionin e Venecias, znj. Grainne McMorrow.

Me fjalim rasti, pjesëmarrësve në këtë ceremoni do t’i drejtohen kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, si dhe kryetari i Komisionit të Venecias, z. Gianni Buquicchio.

Ceremonia do të përmbyllet me një koktej rasti për pjesëmarrësit.