Gjykata Kushtetuese organizon Takimin e Dytë Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit

23.10.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës do të jetë mikpritëse e Takimit të Dytë Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, në cilësinë e njërës nga anëtaret themeluese dhe me të drejta të barabarta të këtij forumi profesional ndërkombëtar të drejtësisë kushtetuese.

Përvjetori i parë i themelimit të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, do të shënohet përmes disa aktiviteteve dhe Konferencës ndërkombëtare të organizuar në temën: “Evoluimet në drejtësinë kushtetuese bashkëkohore – shembulli i rajonit të Ballkanit”, që do të mbahet në “Hotel Emerald” në Prishtinë, të enjten, më 24 tetor 2024, me fillim në ora 09:00.

Konferenca do të vijojë punimet me dy sesione, ku në mesin e folësve kryesor do të jenë kryetarët dhe gjyqtarët e gjykatave kushtetuese të vendeve të rajonit, përfaqësuesit e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian, Komisionit të Venecias dhe Asociacionit Botëror të Juristëve.

Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, i themeluar më 27 tetor të vitit 2023, bashkon Gjykatat Kushtetuese të Kosovës, Shqipërisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Turqisë, rreth vlerave të përbashkëta të demokracisë, sundimit të së drejtës dhe mbrojtjes të së drejtave të njeriut.

Ky forum profesional është themeluar me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet gjykatave kushtetuese të rajonit dhe për të shërbyer si platformë diskutimi dhe shkëmbim përvojash mbi drejtësinë kushtetuese.