Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës do të kremtojë përvjetorin e 14-të të Vitit Gjyqësor me një ceremoni solemne, që do të organizohet në sallën “Beethoven” të “Hotel Emerald” në Prishtinë, të hënën, më 23 tetor 2023.
Ceremonia do të fillojë në orën 17:15 dhe në të do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë, përfaqësuesit e akredituar të misioneve diplomatike dhe të organizatave ndërkombëtare në vend, si dhe delegacionet e nivelit më të lartë nga: Gjykata Kushtetuese e Austrisë, Gjykata Kushtetuese e Belgjikës, Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës, Gjykata Kushtetuese e Bullgarisë, Gjykata Supreme e Estonisë, Këshilli Kushtetues i Francës, Gjykata Supreme e Holandës, Gjykata Supreme e Irlandës, Gjykata Kushtetuese e Kroacisë, Gjykata Kushtetuese e Letonisë, Gjykata Kushtetuese e Lituanisë, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë Veriore, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Supreme Administrative e Portugalisë, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë, dhe Gjykata Kushtetuese e Turqisë. Pjesëmarrës në ceremoninë e Vitit të 14-të Gjyqësor do të jenë edhe përfaqësuesit nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Me fjalim rasti, pjesëmarrësve në këtë ceremoni do t’u drejtohen kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, gjyqtari federal dhe këshilltari kryesor i Shteteve të Bashkuara në mbështetje të procesit të hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, z. John Tunheim dhe kryetari i Këshillit Kushtetues të Francës dhe njëherësh ish-kryeministri francez, z. Laurent Fabius. Nëpërmjet një video-adresimi, pjesëmarrësve në ceremoninë solemne do t’ju drejtohet edhe presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani – Sadriu.
Pas ceremonisë solemne, që do të përmbyllet me një koktej rasti për pjesëmarrësit, në shënim të 14-vjetorit të punës së Gjykatës Kushtetuese, të martën, më 24 tetor 2023, me fillim në orën 09:00, në sallën “Beethoven” të “Hotel Emerald” do të mbahet Konferenca ndërkombëtare në temën: “Kontributi i Gjykatave Kushtetuese në mbrojtjen dhe forcimin e vlerave themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.