Gjykata Kushtetuese dhe USAID me Memorandum Mirëkuptimi

19.01.2023

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani dhe drejtori i Projektit për Drejtësi të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Artan Hadri, nënshkruan sot në një ceremoni të përbashkët Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe USAID.

Objekt i memorandumit të nënshkruar, ndër të tjera, janë përmirësimi i kapaciteteve institucionale të Gjykatës Kushtetuese për ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët në kërkim të mbrojtjes së të drejtave të tyre themelore të garantuara me Kushtetutë dhe sigurimi i qasjes më të lehtë të qytetarëve në objektin e Gjykatës.

Aktivitetet e planifikuara në kuadër të memorandumit gjithashtu përfshijnë ndihmën e USAID në organizimin e tryezave të rrumbullakëta ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave.

Memorandumi i Mirëkuptimit shënon vazhdimësinë e përkrahjes së USAID për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, si një ndër donatorët dhe mbështetësit kryesor të projekteve të ndryshme të realizuara ndër vite për avancimin e kapaciteteve profesionale dhe infrastrukturore të Gjykatës.