Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Supreme me punëtori të përbashkët mbi kontrollin incidental

22.02.2022

Me mbështetjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar “IRZ”, gjyqtarët dhe këshilltarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, morën pjesë në punëtorinë e përbashkët lidhur kontrollin incidental, përkatësisht mundësinë e gjykatave të rregullta që të ngritin në Gjykatën Kushtetuese çështje të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, kur një çështje e tillë ngritët gjatë procedurave gjyqësore.

Punëtoria e organizuar nëpërmjet video-konferencës i filloi punimet me fjalimet hyrëse të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka – Nimani, të kryetarit të Gjykatës Supreme, z. Enver Peci dhe të përfaqësuesit të IRZ-së në Kosovë, z. Frank Hupfeld.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme, në vijim diskutuan mbi praktikat e këtyre gjykatave lidhur me kontrollin incidental, për kriteret e pranueshmërisë për paraqitjen e rasteve nga gjykatat e rregullta, për dilemat për paraqitjen e kërkesave të tilla dhe sfidat me të cilat ballafaqohen gjykatat e rregullta në këtë aspekt, si dhe efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të nxjerra përmes kontrollit incidental.

Në vazhdim të punëtorisë, përfaqësuesit e të dy gjykatave patën mundësinë që të informohen më për së afërmi me konceptin e kontrollit incidental dhe praktikat më të mira në Gjermani, nga ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë dhe profesoresha e së drejtës publike në Universitetin e Bielefeldit, znj. Gertrude Lübbe-Wolff dhe z. Michael Eichberger, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë dhe profesor nderi në Universitetin Eberhard-Karls të Tübingenit.