Gjykata Kushtetuese dhe Fakulteti Juridik i UP-së me Marrëveshje Bashkëpunimi

13.01.2023

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani dhe dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Avni Puka, nënshkruan sot në një ceremoni të përbashkët Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Fakultetit Juridik të UP-së.

Objekt i marrëveshjes së nënshkruar, ndër të tjera, janë zhvillimi i veprimtarive të përbashkëta me qëllim, thellimin dhe shkëmbimin e njohurive në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut, të gjyqësisë kushtetuese dhe sundimit të ligjit, si dhe pjesëmarrja e ndërsjellë në seminare dhe konferenca profesionale.

Pjesë e aktiviteteve të parashikuara në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit janë edhe ligjëratat e kohëpaskohshme të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese para studentëve të Fakultetit Juridik të UP-së, qasja e studentëve të drejtësisë në nivelin master dhe të doktoratës në Bibliotekën e Gjykatës për qëllime akademike dhe kërkimore, si dhe angazhimi i studentëve të Fakultetit Juridik si praktikantë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese dhe Fakulteti Juridik mbesin të përkushtuar, bashkërisht dhe secili brenda kompetencave të veta, të mbështesin avancimin e vazhdueshëm të gjeneratave të reja të juristëve.