Fjalimi i kryetares Arta Rama-Hajrizi në ceremoninë e 10-vjetorit të Kushtetutës

11.04.2018

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 10-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, që u organizua nga Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të martën, më 10 prill 2018, në Prishtinë.

Më poshtë fjalimi me të cilin kryetarja Rama-Hajrizi iu drejtua pjesëmarrësve në këtë ceremoni:

I nderuari President i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli,
I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj,
I nderuari Ministër i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri,

Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe Zotërinj,

Më lejoni që fillimisht të shpreh falënderimin tim për ministrin e Drejtësisë, z. Abelard Tahiri, për ftesën dhe për organizimin e shënimit të 10-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe të shpreh kënaqësinë e veçantë që jam në mesin tuaj në këtë ditë kaq me rëndësi për të gjithë ne.

Kjo ditë na rikujton përpjekjet dhe sakrificën e shumë brezave para nesh për vënien e themeleve kushtetuese të shtetit tonë të ri, por njëherësh na përkujton edhe përgjegjësitë dhe obligimet që të gjithë ne i kemi marrë përsipër me miratimin e Kushtetutës së Kosovës së pavarur.

Përgjegjësitë dhe detyrimet që na i vë barrë ky dokument, si akt superior në hierarkinë normative të rendit juridik në vend, kanë të bëjnë para së gjithash me ndërtimin e një rendi të ri shoqëror, të bazuar në legjitimitetin demokratik të qeverisjes, në respektimin e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut dhe në sundimin pa kompromis të ligjit.

Në krahasim me shumë kushtetuta të tjera në botë, Kushtetuta e Kosovës është një dokument mjaft modern dhe i avancuar, që të gjithë qytetarëve në vend u ka ofruar mundësi të barabarta për t’i realizuar qëllimet dhe idealet e tyre kushtetuese dhe trajtim të njëjtë përballë ligjit.

Falë Kushtetutës së konceptuar mbi premisat e një vendi demokratik dhe tolerant, ne tashmë kemi arritur të ndërtojmë edhe një strukturë të qëndrueshme të sistemit shtetëror dhe politik, me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të të gjithë qytetarëve dhe në harmoni me legjislacionin dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Këtë na e garanton edhe neni 53 i Kushtetutës sonë, i cili shprehimisht parasheh që çdo interpretim i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore duhet të bëhet në pajtim me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që është edhe një vlerë shtesë e kësaj Kushtetute.

Të nderuar të pranishëm,

Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe e kushtetutshmërisë në vend, është një mision i vazhdueshëm dhe me sfida të kohëpaskohshme, ku roli i Gjykatës Kushtetuese si autoritet përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është esencial dhe i patejkalueshëm.

Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët e saj janë dhe do të vazhdojnë të jenë garant i respektimit të kushtetutshmërisë në vend dhe i zbatimit në praktikë të dispozitave kushtetuese. Këtë, Gjykata e ka dëshmuar që nga dita e themelimit të saj, duke nxjerrë dhjetëra vendime që kanë anuluar ligje dhe amendamente jokushtetuese dhe duke siguruar funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në përputhje me Kushtetutën.

Zonja e zotërinj,

Gjyqësori në përgjithësi, dhe këtu Gjykata Kushtetuese, nuk bën ndonjë përjashtim, shpesh janë objekt i kritikës, që ndonjëherë bëhen me arsye e ndonjëherë pa ndonjë argument të qëndrueshëm. Por, duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të numrit të parashtresave dhe efikasitetin e rritur të Gjykatës, me mbi 90 për qind të rasteve të shqyrtuara që nga themelimi i saj, si dhe rritjen e kërkesave të parashtruara nga të gjitha komunitetet në vend, kjo dëshmon se qytetarët e Kosovës kanë besim në Gjykatën Kushtetuese kur bëhet fjalë për interpretimin që i bën Kushtetutës.

E për besimin që Gjykata Kushtetuese tashmë gëzon në shoqërinë e Kosovës tregon edhe vetë fakti se, gjatë gjithë këtyre viteve të funksionimit, të gjitha vendimet e Gjykatës janë respektuar dhe janë zbatuar nga institucionet shtetërore, nga individët dhe nga palët e tjera.

Të nderuar të pranishëm,

Në këtë përvjetor të Kushtetutës, të gjithë duhet të ndihemi krenar me atë çfarë kemi arritur deri më sot, si një shtet i ri dhe i pavarur, ku të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë dhe duhet të mbeten bazament i zhvillimit të shoqërisë tonë drejt integrimeve euroatlantike.

Është e natyrshme që sfidat e kohëpaskohshme dhe krizat e besimit në idetë dhe në vizionin drejt së ardhmes mund të tundojnë disa prej nesh gjatë rrugëtimit të përbashkët drejt vlerave evropiane, por nëpërmjet respektimit dhe besimit në atë se çfarë ofron Kushtetuta jonë, jam e bindur se do të tejkalojmë me sukses çdo vështirësi.

Do të përmbyll fjalën duke tërhequr vërejtjen në debatet e shumta, që ndodhin në vazhdimësi edhe në vendet më të zhvilluara të botës, atë rreth ndryshimit të Kushtetutës. Diskutimet për ndryshime kushtetuese janë plotësisht të natyrshme dhe pjesë e evoluimit të një shoqërie dhe përpjekjeve për të bërë ndryshime pozitive dhe më të mira drejt së ardhmes. Kjo vlen edhe për ne!

E, ndërkohë, si kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ju garantoj se ne do të vazhdojmë të kryejmë me devotshmëri punën tonë në mbrojtje të Kushtetutës dhe në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Vendimet e pavarura dhe të arsyetuara të Gjykatës Kushtetuese janë ato që i japin kuptim dispozitave kushtetuese, kurse shoqërisë tonë i japin frymë e shpirt civilizues.

Urime Dita e Kushtetutës!