Nxënësit e klasave të teta të shkollës fillore “Qamil Batalli” në Prishtinë, vizituan Gjykatën Kushtetuese, të hënën, më 10 dhjetor 2018.
Ata u pritën në takim nga këshilltari i Parë juridik i Gjykatës, z. Sevdail Kastrati, dhe nga drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim, z. Veton Dula.
Këshilltari Kastrati i njoftoi nxënësit e kryeqytetit me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, me strukturën organizative të saj, si dhe me kompetencat që ka ky institucion në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe të drejtave të njeriut në vend.
Natyra e kërkesave të parashtruara me shkelje të të drejtave të njeriut, shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut nga autoritetet publike, vendimet më me rëndësi të Gjykatës Kushtetuese dhe rastet më të vështira që ka trajtuar deri më tani kjo gjykatë, ishin vetëm disa prej pyetjeve të bëra nga nxënësit e shkollës fillore “Qamil Batalli”.
Vizita e nxënësve u realizua me rastin e 70-vjetorit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948, e njohur ndryshe edhe si Dita e të Drejtave të Njeriut.