Resolution

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit ADGJTHP.nr. 4/20 të Gjykatës Themelore në Prizren, të 11 marsit 2020

Case No. KI 62/20

Download:
Summary

Rasti nr. KI62/20, Parashtrues: Gekos Sh.p.k, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit ADGJTHP.nr. 4/20 të Gjykatës Themelore në Prizren, të 11 marsit 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, E Drejta për Mjete Juridike, kërkesë qartazi e pabazuar

Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [ADGJTHP.nr. 4/20] të 11 marsit 2020, të Gjykatës Themelore në Prizren, ku pretendon se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

Gjykata vëren se, në thelb, parashtruesi i kërkesës ankohet se në rastin e tij gjykata e rregullt i ka shkelur të drejtat e tij të garantuara (i) në nenin 31 të Kushtetutës, pasi që nuk e ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike, për sa i përket inicimit të procedurës disiplinore për Gjyqtaren E.S., e cila kishte aprovuar si të bazuar propozimin e palës së interesuar Xh.Zh. për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë për pezullimin e procedurës së përmbarimit [P.nr.197/16]; dhe (ii) Vendimi i kontestuar i mohon të drejtën në ankesë në kundërshtim me nenin 32 të Kushtetutës.

Nga shkresat e lëndës rezulton që rasti kishte të bënte me një rast të pengim posedimit në të cilin ishin palë parashtruesi i kërkesës dhe personi i tretë Xh.Zh. ndër të tjera, lidhur me këtë çështje, më 13 nëntor 2019, Gjykata Themelore në Prizren përmes Aktvendimit [C.nr.1330/17]: (i) aprovoi si të bazuar propozimin e paditësve Xh.Zh dhe R.Zh, për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë me të cilën urdhërohet parashtruesi i kërkesës, Gekos sh.p.k, me pronar Driton Shuku, ashtu që urdhërohet përmbaruesi privat Gj.R. nga Gjakova, që menjëherë të pezullojë procedurën e përmbarimit [P.nr. 197/16], dhe i ndalohet çfarëdo veprimi në procedurën e përmbarimit me qëllim të ruajtjes së gjendjes ekzistuese, dhe atë duke i ndaluar që të ndryshohet gjendja faktike në posedim dhe shfrytëzim të lokaleve;[…] (ii) Kjo masë e sigurimit mbetet në fuqi deri në vendosjen meritore të kësaj çështje juridike apo deri sa gjykata të vendos ndryshe lidhur me këtë masë.

Më 2 mars 2020, nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës bazuar në paragrafin 3 të nenit 9 (Ankesat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkelje disiplinore) të Ligjit Nr. 06/L – 057 për Përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kishte parashtruar ankesën tek Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, kundër Gjyqtares të Gjykatës Themelore ne Prizren, E.S, lidhur me caktimit të masës së përkohshme të sigurisë përmes Aktvendimit [C.nr. 1330/17] të 13 nëntorit 2019, të Gjykatës Themelore në Prizren. Të njëjtën ankesë, parashtruesi i kërkesës e kishte parashtruar edhe tek Avokati i Popullit, e cila i ishte përcjellë Gjykatës Themelore më 6 mars 2020. Më 11 mars 2020, Gjykata Themelore në Prizren, përmes Aktvendimit [ADGJTHP.nr.4/20] refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës, për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtares E.S. parashtruar te Avokati i Popullit në Prishtinë më datë 02 mars 2020.

Lidhur me pretendimet e lartcekura, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës e ka ndërtuar rastin e tij mbi baza ligjshmërie. Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marrë parasysh veçoritë e saj, siç janë përcaktuar përmes KEDNJ-së, parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ.

Ndërsa në lidhje me pretendimin se i është kontestuar e drejta e ankesë, me çrast është shkelur neni 32 i Kushtetutës, Gjykata theksoi që realizimi i kësaj të drejte, duke përfshirë edhe bazat për shfrytëzimin e saj, rregullohen me ligj. Ky nen plotësohet dhe lexohet në lidhshmëri edhe me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, si dhe me praktikën përkatëse gjyqësore të Gjykatës dhe GJEDNJ-së. Pra, GJEDNJ ka theksuar që Neni 13 nuk mund të interpretohet që kërkon një mjet juridik në të drejtën vendore për sa i përket secilës ankesë të supozuar që një individ mund të ketë, pa marrë parasysh se sa jo meritore mund të jetë ankesa e tij: ankesa dhe pretendimi duhet të jetë “e argumentueshme” për sa i përket KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së: Boyle dhe Rice kundër Mbretërisë së Bashkuar, Aktgjykim i 27 prillit 1988, paragrafi 52; Maurice kundër Francës, Aktgjykim i 6 tetorit 2005, paragrafi 106).

Prandaj, bazuar në parimet e lartcekura, Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës nuk është i argumentueshëm, pasiqë Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, nuk parasheh të drejtën në ankesë, në rastet kur nga autoriteti kompetent (në rastin konkret Kryetari i Gjykatës Themelore) vendoset që ankesa është e pabazuar dhe e njëjta nuk ka të bëjë me  ndonjë shkelje disiplinore të gjyqtarit. Përfundimisht, e drejta e përdorimit të mjeteve juridike në kontestimin e Vendimit të kontestuar nuk është e përcaktuar me ligj.

Si përfundim, Gjykata konsideron se kërkesa është e papranueshme, sepse parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyre të mjaftueshme pretendimin e tij për shkeljen e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe Konventë. Rrjedhimisht, kjo kërkesë është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe shpallet e papranueshme, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

 

 

Applicant:

Gekos Sh.p.k

Type of Referral:

KI – Individual Referral

Type of act:

Resolution

Referral is manifestly ill-founded

Type of procedure followed before other institutions :

Other