Diskutohet roli i gjyqtarëve në drejtimin e seancave

19.11.2019

Me ndërmjetësimin e Programit të USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë (JSSP) dhe të Shoqërisë Federale Amerikane për Studime të Ligjit dhe të Politikave Publike, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës mbajtën një diskutim profesional nëpërmjet video-konferencës, me kryetarin e Gjykatës së Qarkut të Minesotas në SHBA, z. John R. Tunheim. Shkëmbimi i përvojave reciproke rreth procedurave të zhvilluara në seancat shqyrtuese dhe roli i gjyqtarëve në drejtimin e seancave publike ishin ndër temat kryesore të trajtuara në këtë video-konferencë. Në vazhdim të diskutimit, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u njohën më për së afërmi edhe me praktikat e gjykatave federale të Shteteve të Bashkuara.