Diskutim mbi sfidat dhe mundësitë në sundimin e ligjit

20.03.2018

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka-Nimani, morën pjesë në diskutimin e mbajtur në temën: “Sfidat dhe mundësitë në sundimin e ligjit”, që u organizua nga Misioni i USAID-it në Kosovë, të martën, më 20 mars 2018, në Prishtinë.

Sistemi gjyqësor i Kosovës, situata aktuale dhe rruga përpara, mundësitë dhe sfidat e përfshirjes së femrave në gjyqësor, ishin ndër temat kryesore që u trajtuan në këtë takim.

Kryetarja Rama-Hajrizi dhe gjyqtarja Caka-Nimani prezantuan para pjesëmarrësve në diskutim, në mesin e të cilëve ishin edhe ndihmës-zëvendës administratorja e USAID-it për Evropë dhe Azi, znj. Gretchen Birkle, dhe drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, z. James Hope, pikëpamjet e tyre përkitazi me sfidat kryesore në gjyqësinë kushtetuese të Kosovës, si dhe për mundësitë e përfshirjes më aktive të femrave në sistemin gjyqësor në vend.

Pas diskutimit të mbajtur, kryetarja Rama-Hajrizi zhvilloi një takim të veçantë me znj. Birkle, me të cilën, pasi që e falënderoi për ndihmën e deritanishme që USAID-i i ka ofruar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, diskutoi më gjerësisht për punën e deritanishme të këtij institucioni, sfidat aktuale në përtëritjen e përbërjes së gjyqtarëve, si dhe për mundësitë e realizimit të projekteve të përbashkëta në mbështetje të ngritjes së kapaciteteve profesionale të Gjykatës.