Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese vizitë në Gjykatën Kushtetuese të Portugalisë dhe institucionet tjera të drejtësisë

06.02.2023

Një delegacion i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Kryetarja e Gjykatës, znj. Gresa Caka – Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare në Lisbonë të Portugalisë, më 30 janar–3 shkurt 2023, me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, në kuadër të projektit “Mbështetja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në zbatimin dhe përhapjen e standardeve evropiane të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.

Gjatë qëndrimit treditor në Portugali, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese dhe Ambasadori i Kosovës në Portugali, Sh.T. Ylber Kryeziu, zhvilluan takime me Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Supreme të Drejtësisë, Gjykatën Supreme Administrative dhe përfaqësues të Parlamentit të Republikës së Portugalisë.

Në Gjykatën Kushtetuese të Portugalisë, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u mirëprit nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Portugalisë, z. João Pedro Barrosa Caupers dhe gjyqtarët tjerë, të cilët së bashku diskutuan për juridiksionet e të dy gjykatave, karakteristikat e sistemit portugez në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, me fokus të veçantë në kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore në kohë emergjencash dhe jurisprudencën e të dy gjykatave në lidhje me pandeminë Covid-19.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës gjithashtu vizitoi Gjykatën Supreme të Drejtësisë të Portugalisë, ku u mirëprit nga Kryetari i saj, z. Henrique Luís de Brito de Araújo dhe gjyqtarët tjerë, me të cilët diskutuan bashkërisht për funksionet, kompetencat dhe përbërjen e kësaj gjykate. Ndërsa, gjatë vizitës në Gjykatën Supreme Administrative, delegacioni i Kosovës u mirëprit nga Kryetarja e kësaj gjykate, znj. Dulce Manuel da Conceição Neto dhe gjyqtarët tjerë, ku temë e diskutimit të përbashkët ishin po ashtu juridiksioni, përbërja dhe puna e këtij institucioni. Gjatë vizitës në të tri gjykatat respektive, delegacionet u dakorduan edhe për mekanizmat e thellimit të bashkëpunimit në të ardhmen.

Delegacioni i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u takua edhe me deputetë të Parlamentit të Portugalisë, gjatë të cilit takim diskutuan për drejtësinë kushtetuese dhe rëndësinë e saj në avancimin e parimit të sundimit të ligjit, si dhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve të drejtësisë të të dyja vendeve.