Delegacionet nga Gjykata Kushtetuese e Turqisë, e Maltës dhe e Letonisë vizitojnë Gjykatën

25.10.2018

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim të përbashkët kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Maltës, z. Joseph Azzopardi dhe gjyqtarin e kësaj gjykate, z. Silvio Meli, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, z. Rıdvan Gulec dhe z. Sadettin Ceyhan, si dhe gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese të Letonisë, z. Aldis Lavins.

Gjatë bashkëbisedimit, kryetarja Rama-Hajrizi i njoftoi mysafirët me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të arriturat e deritanishme, si dhe me sfidat e përballura në punën e saj, veçanërisht pas ndërrimit të strukturës së gjyqtarëve muaj më herët dhe të humbjes së kuorumit për vendimmarrje.

Në vazhdim të bisedës, të gjitha palët shkëmbyen pikëpamjet e tyre dhe përvojat e gjykatave respektive përkitazi me standardet e gjykimeve kushtetuese dhe të cilësisë së vendimeve të nxjerra, si dhe për procesin e reformave të ndërmarra në fushën e drejtësisë kushtetuese në vendet e origjinës.

Kryetari Azzopardi, së bashku me gjyqtarët Meli, Gulec, Ceyhan e Lavins, konfirmuan përkrahjen e tyre për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe për përpjekjet e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, duke shprehur njëherësh gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë nëpërmjet organizimit të projekteve të përbashkëta.