Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kishte kërkuar nga Gjykata të sqarojë dy çështje që dalin nga aktgjykimi i nxjerrë me datën 17 dhjetor 2010 në lidhje me ketë rast. Së pari, AKP kërkoi nga Gjykata të specifikojë se cilin vendim ajo e kishte konsideruar res judicata. Gjykata e identifikoi atë vendim, që ishte vendim i marrë nga Gjykata Komunale e Ferizajt më 2002, duke theksuar se Aktgjykimi e kishte specifikuar vendimin në disa vende. Së dyti, AKP kishte kërkuar sqarim për udhëzimet rreth detyrimeve konkrete të saj sipas këtij vendimi. Gjykata ju përgjigj se Aktgjykimi nuk e kishte shfuqizuar Ligjin për Shoqëritë Tregtare apo ndonjë ligj tjetër, duke shtuar se ky rast ishte ngritur për shkak të moszbatimit për 9 vite të vendimit përfundimtar të Gjykatës Komunale dhe se përkundër vendimit të Gjykatës Komunale, paraardhësi i AKP-së, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) e kishte privatizuar Fabrikën e Çelikut IMK në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës si dhe nenet 6 dhe 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, Gjykata ritheksoi vendimin e saj të mëhershëm se vendimi i detyrueshëm i Gjykatës Komunale duhet të ekzekutohet. Gjykata theksoi se AKP është përgjegjësja e vetme dhe e plotë për zbatimin e vendimit duke përmbushur kërkesat e vlefshme të kreditorëve me mjetet e realizuara nga shitja e Ndërmarrjes Shoqërore sipas Ligjit për AKP-në. Në fund, Gjykata theksoi se ajo nuk është autoriteti përfundimtar për të përcaktuar ligjshmërinë e një statuti dhe i paralajmërojë palët e këtij rasti që të kërkojnë këshillim të pavarur ligjor, lidhur me përgjegjësitë ligjore të Qeverisë dhe të AKP-së
Ali Azemi
KI - Kërkesë individuale
Urdhëra tjerë
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile