Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësimi i kushtetutshmërisë të aktgjykimit të Gjykatës Ekonomike të Qarkut në Prishtinë Nr. C. nr. 183/2009 të 17 qershorit 2009

Nr. të lëndës KO 123/10

Parashtruesit: Komuna e Gjakovës

Paraqitësi i kërkesës ka paraqitur parashtresë në pajtim me nenet 113.7. dhe 21.4. të Kushtetutës, nenet 20, 22.7 dhe 22.8. të Ligjit nr.03/L-121 për Kushtetutën Republikës së Kosovës, të datës 15 janar 2009.
Më 9 dhjetor 2010, paraqitësi i kërkesës i ka paraqitur kërkesë Gjykatës.
Çështja e lëndës së kësaj kërkese ka të bëjë me ankesën të cilën Instituti i Mbrojtjes së Përmendoreve nga Tirana e ka paraqitur kundër Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Komunës së Gjakovës, për pagesë të borxhit në shumë prej 16.206,00 euro, Gjykata Ekonomike e Qarkut në Prishtinë me aktgjykim ka konstatuar se Instituti i Mbrojtjes së Përmendoreve nga Tirana dhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Komunës së Gjakovës kanë qenë në marrëdhënie kontraktuese, lidhur me përgatitjen e dokumentacionit teknik-investues nr.18, me të cilën paditësi ka qenë i obliguar që në dobi të të paditurës ta hartojë projektin për konservim “Ura e Taliqit” në Gjakovë dhe kontratën për përgatitjen e dokumentacionit teknik-investues nr.19, me të cilën paditësi ka qenë i obliguar që në dobi të të paditurës ta hartojë projektin për konservimin e “Urës së Tabakut” në Gjakovë.Paditësi i ka përmbushur obligimet e veta nga kontrata ndaj të paditurës, ndërsa e paditura nuk e ka përmbushur obligimin ligjor lidhur me pagesën e çmimit të kontraktuar edhe pse Këshilli i Drejtorëve të Komunës së Gjakovës me vendimin e datës 10 maj 2004, ka vendosur që paditësit ti bëhet pagesa për punët e kryera.
Paraqitësi i kërkesës thekson se aktgjykimi i Gjykatës Ekonomike të Qarkut në Prishtinë përmban shkelje serioze të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe të Përgjegjësive nr.03/L-048, përkatësisht të nenit 68 (par.1, 2, 3 dhe 4).
Gjykata vëren se aktgjykimi i Gjykatës Ekonomike të Qarkut është marrë më 17 qershor 2009 dhe i është dorëzuar paraqitësit të kërkesës, më 18 korrik 2009, ndërsa paraqitësi i kërkesës i ka bërë kërkesë Gjykatës Kushtetuese më 9 dhjetor 2010.
Prandaj, kërkesa është bërë jashtë afatit të paraparë në nenin 49. të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.4 dhe nenin 113.7, si dhe në pajtim me nenin 49. të Ligjit, njëzëri ka vendosur që kërkesën ta refuzojë si të papranueshme.

Parashtruesit:

Komuna e Gjakovës

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile